Filmat e famshëm "Taken" dhe "Taken 2" në të cilët luan edhe aktori i njohur Liam Neeson dhe që flasin edhe për Shqiptarët dhe trafikimet e tyre në Europë janë bërë mjaft të famshëm edhe në Shqipëri. Por, nëse në këtë të fundit të gjithë jemi fansa të tij, madje kemi buzëqeshur që vendi ynë është bërë i njohur në mbarë botën, nuk mund të themi të njëjtën gjë për amerikanët.
Sipas Hollywood Reporter, aktori kryesor Liam Neeson ka thënë në shfaqjen Graham Norton se ai është fajtori i anullimit të dy udhëtimeve studentore me destinacion Europën. 'Ditën e djeshme mora një letër nga një mësuese në Texas e cila kishte organizuar një udhëtim për në Europë me 60 studentë dhe familjet e 40 prej tyre nuk i dhanë leje fëmijëve sepse ata kishin parë filmin "Taken 2" - ka thënë aktori. Këtë vit ajo tentoi të dërgonte 20 studentë dhe të gjithë prindërit thanë: - Absolutisht jo, sepse kemi parë atë filmin!'
Duket se paniku i përhapur nuk ka për tu zbehur shpejt sepse në 8 janar të këtij vitit pritet të dalë "Taken 3", i cili do të shënojë fundin e sagës së kësaj historie që përfshin edhe Shqiptarët.
PËRMBAJTJA E FILMIT:
Liam Neeson rikthehet si ish-operativi i fshehtë Bryan Mills. Pajtimi me ish-gruan e tij, u ndërpre nga vrasja brutale e saj. I tërbuar dhe i akuzuar për krimin ai arratiset për të shmangur përndjekjen nga CIA, FBI dhe policia. Për herë të fundit, Mills duhet të përdorë aftësitë e tij të veçanta për të gjurmuar vrasësit e vërtetë për të vënë drejtësi dhe të mbrojë të vetmen gjë të çmuar qe i ka mbetur-vajzën e tij.
Filmi do të shfaqet në sallat e Cineplexx Albania duke filluar nga data 8 janar 2015.