Filmi juaj i preferuar

Zgjidhni kinemanë tuaj të preferuar kështu do ta keni më të lehtë te lundroni në faqen tonë

Mbyll

Filmi juaj i preferuar

  • Cineplexx QTU
  • Cineplexx TEG

TERMAT DHE KUSHTET PËR KARTËN CINEPLEXX BONUS CARD


1. HYRJE

Grupi "Cineplexx Albania SHPK" lëshon dhe administron kartat Cineplexx Bonus Card (në vijim: kartat CBC), respektivisht kartën CINEPLEXX BONUS CARD RED (në vijim: CBC RED) dhe kartën CINEPLEXX BONUS CARD BLACK (në vijim: CBC BLACK), si dhe administron pikët bonus, të cilat mblidhen nga blerja e biletave të kinemasë dhe produkteve të banakut, duke paraqitur kartën CBC.

2. REGJISTRIMI

Për përdorimin e kartës CBC duhet bërë regjistrimi online në faqen tonë zyrtare www.cineplexx.al ose në aplikacionin Cineplexx AL.

Pas përfundimit të regjistrimit, karta e personalizuar CBC mund të tërhiqet pranë sporteleve në Cineplexx TEG ose QTU.

3. MBROJTJA E TË DHËNAVE PERSONALE

Duke u regjistruar, klienti bie dakord që të dhënat e bëra të ditura prej tij, si dhe informacioni mbi vizitat e tij në kinema, të identifikuara nga karta CBC të mblidhen në mënyrë të automatizuar, të shkëmbehen e shpërndahen nga Cineplexx Albania SHPK (NIPT L31903011E), Cineplexx Kinobetriebe GmbH(NIPT 133918p), Movio Ltd, Vista, Herton Digital GmbH (NIPT ATU48888501) , Netural GmbH (NIPT ATU6671085).

Mbledhja, shkëmbimi e shpërndarja e këtyre informacioneve përdoren vetëm për prodhimin dhe pajisjen e klientit me kartën CBC, kujdesin për klientin, për qëllime marketingu dhe informimin e klientit mbi fushatat dhe ofertat aktuale të kartës CBC. Klienti mund të tërheqë, në çdo kohë, miratimin e dhënë për marrjen e mesazheve elektronike komerciale. Me përjashtim të rastit të mbushjes së kreditit prej 7,500 Lekë në kartën CBC dhe të kohëzgjatjes prej 18 muajsh, klienti mund të tërheqë edhe miratimin për procedimin dhe përdorimin e mëtejshëm të të dhënave të tij personale, duke komunikuar me email në adresën e emailit: bonuscard@cineplexx.al Brenda një periudhe prej 10 ditësh pune pas konfirmimit të marrjes së kërkesës, të gjitha të dhënat personale fshihen nga sistemi CBC, por nëpërmjet këtij veprimi humbet edhe vlefshmëria e kartës CBC.

4. AVANTAZHET E KARTËS CBC

a.) Kartat CBC pa parapagesë

Me anë të kartës CBC – edhe në rastet kur nuk është mbushur sipas funksionit prepaid -, përdoruesi ka mundësinë të mbledhë pikët bonus, të cilat, në kuadër të programit të besimit mund të këmbehen me çmime dhe bonuse për një numër të caktuar pikësh bonus.

Në faqen e internetit www.cineplexx.al , në aplikacionin Cineplexx AL dhe në sportelet e kinemasë, përdoruesit e kartave CBC mund të marrin informacion mbi gjendjen aktuale të pikëve të mbledhura, informacione mbi çmimet, të cilat mund të përfitohen nga pikët e mbledhura si dhe informacione mbi numrin e nevojshëm të pikëve për marrjen e çmimeve dhe bonuseve.

Çmimet dhe bonuset përkatëse mund të përfitohen dhe të tërhiqen vetëm në sportelin e kinemasë.

b.) Karta CBC me parapagim (funksioni prepaid)

Me mbushjen e kartës paraprakisht, klienti gëzon edhe këto avantazhe shtesë:

  • Mundësinë e blerjes në rrugë elektronike të biletave të kinemasë, përfshirë këtu edhe të drejtën për të përfituar nga reduktimi i çmimit të rregullt të biletave të kinemasë. Ofertat e çmimeve afishohen në sportelet e kinemave ose publikohen në mënyrë të dukshme në faqen e internetit www.cineplexx.al


Të drejtën për të përfituar nga ulja e çmimit e shpjeguar më sipër e kanë vetëm ata përdorues të kartës, të cilët i paguajnë biletat e kinemasë duke përdorur kreditin e transferuar paraprakisht në kartën CBC. Për pagesat me para në dorë nuk aplikohet ulje çmimi për biletat e kinemasë, por grumbullohen pikë bonus nga blerja.

Nëse krediti në kartën CBC nuk mjafton për të blerë biletën e kinemasë (me çmim të reduktuar) , diferenca e çmimit të reduktuar mund të paguhet në mënyrë tjetër (me para në dorë ose pagesa elektronike).

Informacioni mbi kreditin në kartën CBC mund të merret në çdo kohë në faqen e internetit: www.cineplexx.al , në aplikacionin Cineplexx AL , ose në sportelin e kinemasë.

5. VLEFSHMËRIA E KREDITIT DHE PIKËVE BONUS

Përdorimi i shumës së kredituar në kartën CBC për blerjen e drejtpërdrejtë dhe me çmim të reduktuar të biletave të kinemasë, si dhe për blerjen e drejtpërdrejtë të artikujve nga bari i kinemasë është i kufizuar brenda një periudhe 18-mujore nga regjistrimi i kartës. Pjesa e mbetur e kreditit mund të përdoret në formë Gift Card edhe 60 muaj në vijim për blerjen e drejtpërdrejtë (sidoqoftë jo me çmim të reduktuar) të biletave të kinemasë.

Pikët e grumbulluara nga karta CBC mund të përdoren brenda 18 muajve. Pas këtij afati prej 18 muajsh, këto pikë skadojnë, ndërsa pikët e tjera, të cilat janë brenda afatit prej 18 muajsh, e ruajnë vlefshmërinë dhe mund të përdoren (derisa edhe këto pikë të arrijnë afatin e përdorimit).

Për sa kohë në kushtet e biznesit nuk është përcaktuar qartësisht ndryshe, krediti dhe pikët bonus nuk rimbursohen në para dhe as nuk mund të tërhiqen në cash apo të transferohen në një kartë tjetër CBC. Për kreditin në kartën CBC nuk mbahen interesa.

6. KARTA CBC BLACK

Kartën CBC BLACK e përfitojnë ata klientë, të cilët, brenda një viti kalendarik, kanë blerë më shumë se 30 bileta duke përdorur kartën CBC RED.

Këmbimi i kartës CBC RED me kartën CBC BLACK realizohet në vizitën e radhës në kinema, pasi klienti ka blerë 30 bileta kinemaje me kartën CBC RED. Karta CBC BLACK është e vlefshme nga data e lëshimit deri më 31 dhjetor të vitit vijues dhe, nëse përdoruesi i kësaj karte gjatë vitit blen, të paktën, edhe 30 bileta të tjera kinemaje, zgjat edhe me një vit tjetër kalendarik.

Karta CBC BLACK mund të kthehet sërish në kartë CBC RED dhe këmbehet edhe fizikisht në vizitën e radhës në kinema, në qoftë se me kartën CBC BLACK brenda një viti kalendarik nuk blihen të paktën 30 bileta kinemaje.

Përveç avantazheve të kartës CBC RED, karta CBC BLACK ofron avantazhe të tjera, të cilat janë të publikuar në faqen e internetit www.cineplexx.al dhe në sportelin e kinemasë.

7. RREGULLA TË TJERA

Brenda një dite, me anë të kartës CBC mund të blihen maksimalisht dy bileta. Pikët bonus grumbullohen deri në 2000 pikë në ditë për bileta dhe deri në 5000 pikë në ditë për produkte. Pikët bonus nuk grumbullohen kur thjesht mbushet karta me kreditin prej 2,500, 5,000 apo 7,500 Lekësh (sigurisht që pikët bonus mblidhen në rast se ky kredit përdoret për blerjen e biletave të kinemasë). Kompania gëzon të drejtën të ndërmarrë e prezantojë aksione të veçanta për mënyrën dhe mundësinë e mbledhjes së pikëve bonus.

Për ta përdorur kartën CBC për oferta, ulje çmimi dhe mbledhjen e pikëve bonus, karta CBC duhet paraqitur përpara kryerjes së pagesës së biletave në sportelin e kinemasë. Llogaritja më pas, pa vendosur të dhënat e kartës CBC, është e pamundur.

Uljet e çmimeve të biletave të kinemasë për blerjet me kreditin prej 7,500, 5,000 apo 2,500 Lekësh në kartën CBC vlejnë për filma me metrazh normal, që do të thotë për filmat që zgjasin deri në dy orë. Për filmat me metrazh më të gjatë mund të rritet çmimi i biletës me 70 Lekë (për filmat me metrazh mbi 120 minuta), me 120 Lekë (për filmat me metrazh mbi 140 minuta) dhe deri në 150 Lekë (për filmat më metrazh mbi 180 minuta). Për vende të kategorive të veçanta (p.sh. vendet VIP apo Love Boxes) aplikohet një tarifë shtesë prej 250 Lekësh. Të gjitha tarifat shtesë llogariten duke përfshirë TVSH-në. Për premierat paraprake të filmave është i vlefshëm çmimi i biletave të fundjavës dhe ditëve të pushimit, i afishuar në sportelet e kinemave ose në faqen e internetit www.cineplexx.al

Karta CBC nuk është e vlefshme për shfaqje të veçanta dhe prepremiera (shfaqjet gala, transmetimet satelitore, koncertet, baletet, operat, transmetimet sportive).

Përdoruesi i kartës CBC duhet ta mbajë e ta ruajë atë me kujdes dhe sipas rregullave. Në rast humbjeje a dëmtimi të kartës CBC, përdoruesi i kartës është i detyruar të njoftojë me shkrim kompaninë në adresën e e-mail bonuscard@cineplexx.al , në mënyrë që karta të bllokohet e të nisin procedurat për pajisjen me kartë të re. Me përjashtim të rasteve kur dëmtimi i kartës është shkaktuar nga persona të kompanisë, përdoruesi i kartës është përgjegjës drejtpërdrejt për disavantazhet e shkaktuara nga humbja apo dëmtimi i kartës deri në njoftimin me shkrim të kompanisë. Karta e re CBC do të ketë të njëjtin kredit, pasi të jetë mbajtur një komision prej 300 Lekësh, me kreditin në momentin e deklarimit dhe do të jetë e vlefshme për aq kohë sa ç’ishte edhe karta e vjetër e humbur apo e dëmtuar.

Personeli i kinemasë ka të drejtën, por jo detyrimin të shohë dokumentin identifikues të përdoruesit, për të verifikuar se identiteti i personit është i njëjtë me atë të personit në kartë

8. NDRYSHIMI/ZGJIDHJA E KONTRATËS

Kompania gëzon të drejtën e ndryshimit të këtyre kushteve, veçanërisht të kushteve të pjesëmarrjes në sistemin e grumbullimit të pikëve bonus si dhe të kushteve që lidhen me reduktimin e çmimit të biletave nëpërmjet kartës CBC. Në rast ndryshimi apo përditësimi të këtyre kushteve, këto ndryshime bëhen të ditura që nga dita e hyrjes në fuqi të tyre, nëpërmjet postës elektronike në adresën e emailit që përdoruesi ka deklaruar gjatë regjistrimit ose në adresën e fundit të emailit të bërë të ditur prej tij, në afishimet e sporteleve të kinemave si dhe në faqen e internetit: www.cineplexx.al Në rast se ndryshimet e kushteve nuk janë në dobi të tij, përdoruesi ka të drejtë ta dorëzojë kartën CBC në vizitën e ardhshme në kinema.

Marrëveshja kontraktuale për kartën CBC është në thelb një kontratë me afat të papërcaktuar (me përjashtim të paragrafit vijues në lidhje me kreditin prepaid të vendosur në kartë). Kjo do të thotë se kjo kontratë mund të zgjidhet si nga klienti, ashtu edhe nga kompania duke respektuar një afat tremujor në fund të çdo date 31 mars, 30 qershor, 30 shtator dhe 31 dhjetor të vitit përkatës. Zgjidhja e kontratës nga përdoruesi i kartës bëhet me email në adresën e mëposhtme të emailit. bonuscard@cineplexx.al dhe në adresën e emailit të kompanisë, të cilën kjo e fundit ia ka bërë të ditur klientit. Një muaj pas zgjidhjes së kontratës, klienti nuk ka më mundësi për të përfituar pikë bonus shtesë, përfitimi i pikëve bonus të mbledhura paraprakisht është i mundur deri në fund të marrëveshjes kontraktuale.

Vlefshmëria e kreditit ekzistues sipas pikës 5 nuk preket. Konvertimi i kreditit për blerjen e biletave të kinemasë me ulje – siç parashikohet në pikën 5 – përfundon 18 muaj pas lëshimit të kartës. Krediti i papërdorur në përfundim të këtij afat mund të përdoret për blerjen e biletave të kinemasë, por pa përfituar ulje çmimi.

9. VLEFSHMËRIA

Nëpërmjet regjistrimit për marrjen e një karte të personalizuar dhe përdorimin e kartës CBC, klienti bie dakord me kushtet e përgjithshme të biznesit.

Teksti i plotë i kushteve të përgjithshme të biznesit për marrjen dhe përdorimin e kartave Bonus Cineplexx është i afishuar në broshurat informuese që mund të gjeni pranë sporteleve të kinemave Cineplexx TEG e QTU, si dhe mund të shkarkohet gjithashtu më poshtë.